A1 Report - VIDEO/ Ja ç’tha Basha menjëherë pas incidentit në takimin elektoral në Ersekë HD
TIRANE - Incidenti elektoral ku njëi ri hodhi karrigen në drejtim të liderit demokrat Lulzim Basha me synim për ta qëlluar atë, nuk e ka ndaluar takimin elektoral të opozitës në qytetin e Ersekës. Madje kryedemokrati Basha e ka përdorur këtë incident edhe gjatë fjalës së tij, duke thënë se as hedhja e karriges nuk do t’i ndalë qytetarët për të ndëshkuar me votë qeverisjen aktuale. Basha la të kuptohet në fjalën e tij se bën përgjegjës për këtë sulm mazhorancën. “Në qoftë se për ne këto dy vite opozitë kanë qenë ashtu siç për fat të keq i parashikonim vite mashtrimesh, gënjeshtrash, të shtrëngimit të lakut në fyt për çdo qytetar, për votuesit e majtë në Kolonjë dhe kudo në Shqipëri dhimbja është e dyfishtë sepse i kanë braktisur, i kanë marrë votën dhe i kanë poshtëruar më keq se votuesit tanë. Njësoj si para 25 vitesh as hedhja e gurit as hedhja e karriges as hedhja e fajit diku tjetër nuk do ti shpëtojë nga gjykimi popullor më 21 qershor”, u shpreh Basha. Video e takimit elektoral që Basha mbajti mbrëmjen e së mërkurës në Ersekë për të prezantuar kandidatin e djathtë për Bashkinë e këtij qyteti, u soll në redaksitë e mediave përmes zyrës së shtypit të PD-së por në asnjë moment nuk reflektohet incidenti i ndodhur.