Tre vjet burg për 6 protestuesit në Shkup, dy lirohen

30.07.2014
Nga 3 vjet burg për 6 protestuesit e 4 korrikut në protestën kundër rastit “Monstra”, që degradoi me thyerjen e dritareve të Gjykatës. Arian Rexhepi, Muharem Bardhi, Adem Abdullai, Enur Iljazi, Muharrem Isa dhe Rami Buçi u shpallën fajtorë për veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kreu vepër penale”. Avokatët dhe familjarët ngelën të shokuar nga aktvendimi, duke marrë parasysh se sipas tyre, fajësia e të akuzuarve nuk u dëshmua në asnjë moment gjatë procesit gjyqësor. Mbrojtja thotë se ky është dënim maksimal dhe i pa precedentë deri tani, për raste të tilla. “Jemi të shokuar nga aktvendimi sepse 6 të akuzuarit që u dënuan me nga 3 vjet burg, as që kanë marrë pjesë në turmën që ka thyer dritaret e Gjykatave I dhe II. Revolta i Gjykatës u tregua me lartësinë e aktvendimit, ky është dënimi maksimal për këtë vepër”, tha Ljubço Veselinovski, Avokat. “Ky dënim, që është maksimal, në praktikën e deritanishme gjyqësore është më i larti, dhe nuk është dhënë në asnjë proces tjetër”, deklaroi Asmir Alispahiq, Avokat. Familjarët ankohen për padrejtësi gjithashtu. Ata kërkojnë që të mos aplikohen standarde të dyfishta, duke marrë parasysh se për protesta të ngjashme gjykata liroi me kusht protestuesit në Tetovë. “Për Ademin, asnjë argument nuk kanë që ka shkelur ligjin. As të vetmin argument, nuk kanë mundur ta argumentojnë se është parë duke thyer ligjin. Asnjë dëshmi nuk është marrë parasysh, edhe pse ka pasur dëshmitarë se ku ka qenë, si ka vepruar. Aspak, hiç. Unë përsëri i bëj thirrje politikës shqiptare, edhe djemtë e Shkupit i takojnë ligjeve të Maqedonisë, njëjtë sikur u veprua në Tetovë”, u shpreh Fatmir Abdullai, babai i Ademit. “Është marrë nga Çairçanja, duke hyrë në veturë. As nuk ka qenë në protestë, asgjë. As shteti nuk ka asnjë dëshmi kundër tij. Ky është skandal i madh që po bëhet”, deklaroi Muhamet Iljaz, babai i Enurit. Dy të akuzuarit e tjerë, Rexhep Bislimi dhe Fadil Zekiri u lanë të lirë. Gjashtë të dënuarit, përveç vuajtjes së dënimit me burg duhet të paguajnë edhe dëmin material ndaj gjykatave, që është vlerësuar 26 mijë euro. Benjamin Arifi

Похожие видео

Показать еще