"Dosja Kokaina", gazetarja nxjerr dokumentet: Kontejneri u kontrollua në Itali HD
Emisioni "Studio e hapur" e Eni Vasilit ne News24 8 mars, 2018 Gazetarja Klodiana Lala ka bërë me dije detaje të reja sa i takon drogës së kapur në Maminas, në magazinat e kompanisë Arbri Garden. Sipas saj, ditën që u zbulua droga në kontenier, oficerët e policisë gjyqësore thonë që pasi kanë hyrë në kontenier rezulton që në pjesën e djathtë, fundore të kontenierit, ka pasur ndërhyrje, llamarina ishte e lëvizur dhe kishte gjurmë silikoni, cka sipas gazetares ngre dyshime të forta që kontenieri mund të jetë hapur edhe në autoritetet e vendeve të tjera. Lala ndër të tjera tha ne emisionin “Studio e Hapur” te gazetares Eni Vasili edhe se ditën e kontrollit ka pasur një debat të ashpër mes agjentëve të hetimit doganor dhe policisë, pasi kjo e fundit kërkonte që kamioni të lëviste për të shkuar në destinacion, ndërsa hetimit doganor nuk donte këtë gjë, duke këmbëngulur se e kishin pikasur drogën ata. Gazetarja tha se mund të ketë një shpallje të menjëhershme në kërkim ndërkombëtar të pronarit të kompanisë, Arbër Cekaj. Ka një sërë letërporosish të nisura nga prokuroria e Krimeve të Rënda në Kolumbi, Ekuador, Maltë e Gjermani. Do pyeten autoritetet e huaja në Maltë e në Gjermani, ku do pyetet për aktivitetin që Arbër Cekaj. Në Gjermani Cekaj tha Lala, ka një martesë me një shtetase gjermane dhe do kërkohe informacion për kontaktet që ka në këtë shtet, personat që ka kontakte, nëse ka shkembime në fushën e biznesit. Cekaj mban edhe mbiemrin Jansen, përvec mbiemrit Cekaj, nga një martesë ligjore me shtetasen gjermane. Duke folur për kokainën rekord të kapur në Maminas, analisti Fatos Lubonja, në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili, tha se ‘të besosh se kjo gjë është pa mbështetje, do të thotë të jesh naiv”. “Se cilat janë këto struktura këtu është pikëpyetje e madhe, janë të lidhur me politikën, apo vetëm politika apo strukturat e krimit të mirëorganizuara, kjo eshte pyetja. Flitet per operacion te suksesshëm te policisë, vërtet u kapën 613 kg kokainë, por unë me të suksesshëm kam parasysh kur doli cështja Tahiri-Habilaj, doli që hetimet italiane, të koordinuara me përgjime, pas një pune 3-4 vjecare kapën një rrjet kriminal. Pakot ishin me kod, që nënkupton që ky numër i shkon këtyre, ky i shkon atyre, pra me ndarje, nuk e dimë sa grupe janë. E parë kë kishte avokat shoferi? Maksim Haxhinë, është avokat i shtrenjtë, edhe i Tahirit për ironi, pra dikush ja ka paguar, janë pikërisht ata që nuk u kapën. Kjo ndërprerje e këtij operacioni që duan të na e shesin si të suksesshëm, po të isha unë prokuror haopja cështje për të ndjekur kush e ka ndërprerë, ka ndërprerje apo është rastësi, na paskan kaluar 90 e ca kontenierë dhe keta paskan bere qejf”.